OJQ-të e Gjilanit i drejtohen Kryetarit për procesin zgjedhor të KVRL-së

11 Organizata Joqeveritare Rinore të Gjilanit iu kanë drejtuar Kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Hazirit duke iu ankuar zyrtarisht për procesin e zgjedhjes së kryetarit të Këshillit të Veprimit Rinor Lokal të Gjilanit ditën e Premte.

Letrën mund ta lexoni më poshtë:

Drejtuar: Kryetarit te Komunes se Gjilanit, z. Lutfi Haziri
Nga: Grupi I Organizatave Joqeveritare te Komunes se Gjilanit
Data: 25.02.2019
RE: Ne lidhje me procesin zgjedhor te Keshillit te Veprimit Rinor Lokal (KVRL – Gjilan)
I nderuar z.Haziri,

Në akordim të plotë me organizatat e nënshkruara në këtë shkresë, konsiderojmë që procesi zgjedhor brenda KVRL-së i cili është zhvilluar më datë 22 Shkurt, 2019 ka qenë tërësisht i manipuluar dhe ka rezultuar me zgjedhjen e një Kryetari jo-legjitim, i cili nuk përfaqëson organizatat rinore të Gjilanit dhe rininë gjilanase në përgjithësi.

Si pikë e parë, kuvendi zgjedhor i datës 4 Shkurt 2019 ishte njoftuar vetëm 2 ditë më herët, më 2 Shkurt 2019 (ditë e shtunë, pra ditë jo e punës), dhe mbledhja ishte caktuar për ditën e hënë në ora 12:00.

Kryetari i zgjedhur Mehmet Zylfiu ishte përkrahur njëanshëm nga Genc Mustafa, Zyrtar për Rini në Komunën e Gjilanit, i cili bashkë me znj. Diellza Selishta (ish-Kryetare e KVRL-së) kishin përgatitur skenarin për zgjedhjen e Kryetarit të ri të KVRL-së. Zyrtari rinor vazhdimisht shprehej publikisht tek anëtarët e kuvendit se ka kompetencat e deleguara nga Kryetari i Komunes, pra ju z. Haziri, dhe nënkryetari z. Arbër Ismaili per të bërë çfarë të dojë me KVRL-në – madje “edhe t’a shuaj atë”. Përmes këtyre prononcimeve, Zyrtari Rinor mundohej të mbjellte frikë tek anëtarët e kuvendit. Procesi i zgjedhjeve ishte orkestruar deri në zhdukjen e listave të anëtarëve të Kuvendit që ishin anëtarësuar në KVRL gjatë vitit 2016. Të drejtë vote në zgjedhjet e datës 22 shkurt kishin vetëm ato “organizata” të cilët ishin caktuar nga znj. Diellza Selishta.

Në Kuvendin e dytë të datës 22 Shkurt 2019, ne ishim vetëm në cilësinë e vëzhguesve dhe pa të drejtë vote. Mbledhja e Kuvendit u zhvillu vetëm formalisht dhe u drejtua nga z. Mensur Morina, 32 vjeçarë i cili ishtë larguar nga KVRL gjatë vitit 2012 përshkak të aferave të tij me partitë politike, respektivisht lidhjen e tij të ngushtë me PDK-në.

Dy nga tre anëtarët e Komisionit për mbarëvajtjen e punës së kuvendit, pas parregullsive që ndodhën gjatë procesit të zgjedhjes së Kryetarit të ri, bashkë me organizatat përpiluese të kësaj shkrese, lëshuan sallën e kuvendit. Nga ata pak pjesëmarrës që ishin në kuvend ishte zgjedhur si Kryetar Mehmet Zylfiu, edhe pse kishte shkelur ligjin për pjesëmarrjen e rinisë së Republikës së Kosovës, ku theksohet se Mosha Rinore është nga 15 deri në 24 vjeç.

Ne organizatat e nënshkruara, kërkojmë nga Kryetari i Komunës z. Lutfi Haziri plotësimin e këtyre kërkesave:
1. Shpalljen e zgjedhjeve të reja në KVRL;
2. Shkarkimin e z. Genc Mustafës – si Zyrtar i Rinisë dhe nga të gjitha pozitat në DKRS i cili me prapaskenat dhe veprimin e tij ka orkestruar politikisht dhe me tendenca procesin zgjedhor, duke keqpërdorur kështu postin e tij zyrtar;
3. Zbatimin e Statutit qe ka derivuar nga zgjedhjet paraprake te KVRL-së dhe të bëhet anëtarësimi i organizatave të reja në KVRL sipas kritereve të përcaktuara me ligjin ne fuqi;
4. Respektimi i moshës për anëtarësi dhe për garën për Kryetar të KVRL-së, duke u bazuar në
ligjin per rini;
5. Ndërtimin e një mekanizmi nga të rinjtë deri moshën 24 vjeçare për të mbarëvajtur procesin
zgjedhor të KVRL-së;
6. Shndërrimin e KVRL-së në një strukture rinore gjithëpërfshirëse, duke mos operuar në baza
partiake;
7. Gjashtë mujori i dytë i vitit 2018 dhe fillimi i vitit 2019 paraqet periudhën më të dobët të
angazhimit dhe pjesmarrjes së rinisë së Gjilanit nëpër organizime, forume, trajnime, seminare
shkëmbime rajonale dhe ndërkombëtare si rezultat hezitimit për me bashkpunu i organizatave
vendore dhe të huja. Prandaj, ne kërkojmë kthimin e bashkëpunimeve me organizatat donatore
dhe ato profesionale në Komunën e Gjilanit.
8.Publikimi i raportit financiar sepse mendojm qe ka pasur keqmenaxhim

Ne, organizatat e poshtëshënuara, duke qenë të shqetësuara me përfaqësimin e dobët të interesave të rinisë Gjilanase në nivelin lokal dhe keqmenaxhimin e KVRL-së, kërkojmë plotësimin e këtyre kërkesave.

Në rast të mosplotësimit të këtyre kërkesave, formë tjetër e shprehjes së pakënaqësisë do të jenë
edhe protestat.

Organizatat Jo-Qeveritare:
1. Unioni i Studentëve Pro Europian (USPE)
2. Qendra për Zhvillim Social dhe Kulturor – KAND
3. Qendra e Aktivizmit të Rinisë
4. ASK Kosova
5. OJQ Mollëkuqet
6. Rotaract Club Anamorava
7. Qendra Kosovare për Diplomaci
8. Lëvizja Studentore e Kosovës
9. Ojq Help
10. Youth In
11. Shtype Frenin