YAC bashkëpunon në projektin “Nuk ka demokraci me një gjini”

nuk_ka_demokraci_me_nje_gjini

Qendra e Aktivizimit të Rinisë (Youth Activism Center – YAC) dhe Organizata Rinore “Change” kanë bashkëpunuar me OJQ “Merita” në projektin ‘Nuk ka demokraci me një gjini’.

Projekti ka të bëjë me lirinë e të votuarit të gruas.

Blerita Korça, sekretare e përgjithshme e YAC-se, deklaroi se gruaja duhet të vendos për vete dhe të ndikojë politikisht në zgjedhje.

“Gruaja është ajo që lind çdo votues, andaj si e tillë, gjithmonë ka të drejtë të vendos vete”, tha Korça.

Ajo foli edhe për parregullsitë në zgjedhje ku i mohohet liria e të votuarit të gruas.

“Nga përvojat e mëhershme, kemi parë se në shumë vendvotime, e sidomos nëpër fshatra, ekziston fenomeni i ashtuquajtur “Votim familjar”. Kjo nënkupton që burri i shtëpisë, pos për votën e tij, vendos edhe për votën e gruas së tij e më gjerë” shtoi Korça.

Në fund, ajo i bëri apel të gjithë kryefamiljarëve dhe gjithë votuesve t’i lënë të lirë ‘gjininë e butë’ të vendosin vetë.

“Shpresoj që në keto zgjedhje të mos përsëriten parregullësi të tilla, dhe i bëj thirrje të gjithëve që mos t’i bëjnë presion femrave gjatë votimit. Shpresoj që edhe projekti ‘Voto dhe Vëzhgo’ do ta luaj rolin e vet për të ndikuar edhe në këtë temë”, përfundoi Korça.

Projekti ‘Nuk ka demokraci me një gjini’ është realizuar nga OJQ “Merita” në bashkëpunim me Qendrën e Aktivizitmit të Rinisë (YAC) dhe Organizatës Rinore “Change”.