Themelohet Grupi joformal i OJQ-ve të Gjilanit

grupi-joformal

Me nismën e disa Organizatave Jo Qeveritare (OJQ) të Komunës së Gjilanit, tanimë, në Komunën e Gjilanit ka filluar të funksionojë një organizim i përbashkët i 11 Organizatave Jo Qeveritare me emrin “Grupi joformal i OJQ-ve të Gjilanit”.

Anëtare të këtij grupi janë këto Organizata Jo Qeveritare: “Qendra Kosovare për Bashkëpunim Ndërkombëtar”, “Lobimi për Ligjin dhe Demokracinë”, Nisma për ndryshime dhe integrime shoqërore – CHANGE, “Lansdowne”, “Vrulli Rinor”, “Merita”, “Ne për fëmijët”, “All Forces Together”, “Forumi Qytetar Demokratik Anamorava”, “Agrofarm” dhe “Qendra e Aktivizmit të Rinisë” kurse me marrëveshje të përfaqësuesve të këtyre organizatave, kryetar i kësaj nisme është zgjedhur Enver Këqiku nga OJQ “Qendra Kosovare për Bashkëpunim Ndërkombëtar”.

Këqiku, kryetar, ka thënë se Rrjeti i OJQ-ve të Komunës së Gjilanit i quajtur,  me këtë emër, është i përkushtuar për ndërtim të demokracisë të bazuar në parimet e lirisë, tolerancës, barazisë, mirëbesimit, partneritetit, respektit, transparencës dhe shoqërisë së hapur, si themel për zhvillim të qëndrueshëm të Komunës së Gjilanit, Rajonit të Anamoravës dhe në tërësi të Kosovës dhe për krijim të kushteve për mirëqenie për të gjithë.

Sipas tij, Grupi Jo Formal i Organizatave Joqeveritare të Komunës së Gjilanit beson se qeveria komunale e Komunës së Gjilanit, ato lokale në rajonin e Anamoravës dhe ajo qendrore nuk do të mund të zbatojë zhvillim të gjithëmbarshëm efektiv pa punën e shoqërisë civile të fuqishme, të informuar dhe të efektshme.

“Të gjitha organizatat anëtare të “Grupit Joformal i Organizatave Joqeveritare të Komunës së Gjilanit”, kanë nënshkruar dokumentin themelues, dokumentin për anëtarësim në këtë organizëm si dhe kanë aprovuar Kodin Etik dhe në këtë rast zotohen që ta fuqizojmë sektorin e shoqërisë civile, të përmirësojmë kualitetin dhe ndikimin e shërbimeve dhe punës sonë, dhe të kontribuojmë  në zhvillimin e shoqërisë në përgjithësi”, ka thënë Këqiku.

Ai shtoi se ky grup i organizatave është i hapur edhe për OJQ-të tjera të Komunës së Gjilanit të cilat shprehin interesimin për të qenë anëtare dhe të cilat pranojnë dokumentet e aprovuara në rastin e themelimit. /Bleje.NeT/